Secondary Adv

Në 10 vite, qarqet e mëdha të Veriut humbën një të katërtën e popullsisë, kryeson Shkodra

Qarqet veriore po përjetojnë tkurrjen më të fortë demografike në vend, ndërsa Tirana mbetet e vetmja me rritje të popullsisë.

Qarqet e mëdha të veriut të Shqipërisë po përballen me një zbrazje të thellë demografike si pasojë e emigracionit të vazhdueshëm dhe plakjes së popullsisë. Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se gjatë periudhës 2016–2026, Shkodra ka regjistruar rënien më të madhe të popullsisë në rang kombëtar, duke humbur 25.58 për qind të banorëve të saj ose më shumë se 50 mijë persona.

 

Pas Shkodrës renditet qarku i Kukësit, ku popullsia është tkurrur me 24.78 për qind gjatë dekadës së fundit. Emigracioni i fortë i të rinjve drejt Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera europiane konsiderohet ndër faktorët kryesorë të kësaj rënieje. Një situatë e ngjashme paraqitet edhe në Lezhë, ku popullsia është pakësuar me 24.11 për qind, duke treguar se i gjithë rajoni verior po përballet me largime masive.

 

Edhe Dibra vijon të humbasë banorë me ritme të larta. Sipas të dhënave zyrtare, qarku ka regjistruar një rënie prej 22.49 për qind të popullsisë gjatë dhjetë viteve të fundit.

 

Rënie e fortë edhe në qarqet e tjera

Fenomeni i tkurrjes së popullsisë nuk kufizohet vetëm në veri. Në rang kombëtar, Shqipëria ka humbur 387,462 banorë gjatë periudhës 2016–2026, duke regjistruar një tkurrje neto prej 14.23 për qind. Fieri ka humbur 68,089 banorë gjatë dekadës së fundit, ose 23.02 për qind të popullsisë së tij. Korça ka regjistruar një tkurrje prej 22.63 për qind, e barabartë me rreth 48 mijë banorë më pak, ndërsa Elbasani ka pësuar rënie prej 21.06 për qind.

 

Gjirokastra ka humbur 21.86 për qind të popullsisë, duke u përballur njëkohësisht edhe me plakjen e shpejtë të banorëve. Ndërkohë, Vlora ka regjistruar një rënie prej 18.46 për qind ose më shumë se 32 mijë banorë më pak, ndërsa Berati ka shënuar tkurrje prej 9.44 për qind. Edhe Durrësi, pavarësisht rolit të tij si qendër ekonomike dhe turistike, nuk i ka shpëtuar këtij fenomeni. Popullsia e qarkut është pakësuar me 12.08 për qind gjatë dekadës së fundit, ose me mbi 30 mijë banorë.

 

Tirana mbetet përjashtimi i vetëm

Në kontrast me pjesën tjetër të vendit, Tirana është qarku i vetëm që ka regjistruar rritje të popullsisë. Gjatë periudhës 2016–2026, kryeqyteti ka shtuar rreth 9,428 banorë, duke shënuar një rritje modeste prej 1.25 për qind.

 

Kjo rritje lidhet kryesisht me emigracionin e brendshëm, pasi shumë qytetarë nga qarqet e tjera janë zhvendosur drejt Tiranës në kërkim të mundësive më të mira për punësim, arsim dhe shërbime.

 

Balancat demografike po ndryshojnë

Të dhënat tregojnë se Shqipëria po përjeton një proces të shpejtë polarizimi demografik, ku popullsia po përqendrohet gjithnjë e më shumë në kryeqytet, ndërsa pjesa tjetër e territorit po përballet me plakje dhe tkurrje të vazhdueshme.

 

Veçanërisht në veri, ritmet e largimit të popullsisë mbeten më të lartat në vend. Shkodra, Kukësi, Lezha dhe Dibra po humbasin banorë me shpejtësi, duke ngritur shqetësime për zhvillimin ekonomik, tregun e punës dhe ruajtjen e shërbimeve bazë në këto zona.

 

Treguesit e vitit 2026 dëshmojnë se ndryshimet demografike kanë marrë përmasa të thella dhe afatgjata, ndërsa veriu i Shqipërisë mbetet rajoni më i prekur nga emigracioni dhe tkurrja e popullsisë.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat